Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli komentoi datën e zgjedhjeve të dekretuar nga presidenti dhe përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e këtij procesi. Përmes një postimi në “Facebook”, ajo deklaroi se politika është shumë mbrapa me përgatitjet. Sipas saj, as mazhoranca, as opozita, nuk po e “vë ujin në zjarr” për zgjedhjet, edhe pse vetëm tetë muaj na ndajnë.

 

“Ligji për zgjedhjet nuk është gati. KQZ nuk është gati; përgatitjet për digjitalizimin e procesit nuk është kurrkund. Marrja e pushimeve nga politikanët ka shtyrë punën për votimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor. Për shkak të pushimeve, ende nuk ka filluar puna për ndërtimin e KQZ, e cila duhet ndërtuar nga e para me një organizim e strukturë krejt tjetër. Ndërkohë përgatitjet për identifikimin e zgjedhësve si një ndër kërkesat e “opozitës” jashtë parlamentit ende s’ka filluar. Edhe këta me pushime… për Këshillin Politik është e tepërt të pretendosh të mblidhet… si një strukturë e çuditshme që është, natyrisht edhe ajo vazhdon vakancat. Në fakt për shkak të vakancave të gjata të politikanëve; për shkak të mos mbledhjes së Këshillit Politik, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të ardhshme pa përmbushur as minimumin e gjërave.”

 

Sa u takon votuesve, Topalli tha se ata kanë nevojë për një ndryshim. Dhe për ndodhur diçka e tillë, shtoi ajo, duhet që shqiptarët të frymëzohen nga protestat që po mbahen kundër pushtetit në Bjellorusi.

 

Prapë këta? Prapë Edi Rama, Ilir Meta e Lulzim Basha? Në fakt vendi është pa alternativë. Tre emrat më lart janë bashkë. Ata grinden vetëm për pjesët tek koncesionet e tenderat. Ndërkohë vendi  ka nevojë dëshpëruese për ndryshim. Qytetarët duan shpresë. Protestat në Minsk janë një frymëzim edhe për shqiptarët kundër një klase politike të korruptuar e të dështuar si kjo e jona.”

 

Jozefina Topalli bëri thirrje që me votë dhe me protestë, qytetarët të çlirojnë vendin nga treshja e politikanëve që sipas saj, po e mbajnë peng atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *