E shtunë, 17 Tetor 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Tmerr në azil në Gjermani/ 72-vjeçari sulmon me thikë të moshuarit e tjerë, një grua humb jetën dhe dy të tjerë plagosen rëndë

Një grua ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë janë plagosur rëndë pas një sulmi me thikë në një azil të moshuarish në qytetin Olfen të Gjermanisë, mbrëmjen e së premtes, më 16 tetor. Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sipas mediave gjermane, si autor i dyshuar është identifikuar një 72-vjeçar, banor i institucionit, i cili u arrestua nga policia pa bërë rezistencë. Sulmi ndodhi në azilin St. Vitus Stift, në rajonin e Coesfeld, pranë Dortmundit. Pas njoftimit për personat e plagosur, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikës dhe ekipe të urgjencës mjekësore.

Reklamë

Sipas raportimeve, ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës nisi rreth orës 20:39, ndërsa dy helikopterë shpëtimi u angazhuan për transportimin e të plagosurve. Njëri prej tyre, sipas mediave gjermane, u dërgua me helikopter në Spitalin Universitar të Münsterit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin dhe moshën e viktimave.

Sipas gazetës gjermane Bild, 72-vjeçari dyshohet se ka sulmuar me thikë disa persona dhe më pas është kthyer në dhomën e tij, ku u gjet nga efektivët e policisë. Mediat raportojnë se mund të jenë sulmuar deri në katër persona, por policia ka konfirmuar zyrtarisht një viktimë dhe dy të plagosur rëndë. Njëri prej tyre ndodhet në rrezik për jetën.

Reklamë

Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe marrëdhëniet e mundshme mes të dyshuarit dhe viktimave. Policia ka bërë të ditur se nuk ka më rrezik për sigurinë e qytetarëve, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.