Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë vijojnë të përshkallëzohen. Mediat greke shkruajnë se një tjetër avion i forcës ajrore turke F-16 kaloi rreth orës 10:55 të mëngjesit te kësaj te marte mbi ishullin jugor të Egjeut, Farmakonis.
Ushtria greke tha se shtatë avionë turq, katër prej të cilëve ishin të armatosur, shkelën të hënën hapësirën ajrore greke.
Nga ana tjetër, qeveria greke po planifikon të ndajë 1.1 miliardë euro për pajisje me qëllim rritjen e investimeve per forcat e armatosura të vendit pas tensionit të vazhdueshëm me Turqinë, i cili u thellua edhe më tej me arrestimin e dy ushtarëve greke.
Projekti për buxhetin e ri u dakorëdësua gjatë një takimi mes Ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos dhe anëtarëve të Komitetit të Armëve në Parlament, ku u diskutua për nevojat urgjente për ndërhyrjen në tokë, forcën detare dhe ajrore.
Zyra e kryeministrit grek në një deklaratë për media të dielën e përshkroi Presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan si një “sulltan”, i cili flet në emër të sistemit gjyqësor të vendit”, në krahasim me Greqinë e cila ka një kryeministër që respekton sundimin e ligjit.
Nga ana tjetër, ministri grek i Mbrojtjes, Kammenos, e cilësoi Erdoganin të “çmendur”. Ndërsa shefi i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, akuzoi këtë të martë ministrin Kammenos se po i “hedh benzinë zjarrit” me Turqinë me deklarata të tilla. Athina zyrtare është e bindur se muajt në vijim situata në Egje mund të tensionohet edhe me shume, çka ka bere qe ushtria greke të jenë në gatishmërinë maksimale.





