Tiranë/ 25-vjeçari arrestohet për vjedhje me thikë, familjarët përplasen me policinë gjatë kontrollit të banesës

Një 25-vjeçar është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur me dhunë portofolin e një 17-vjeçari, duke e kërcënuar me thikë dhe duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ngjarja është denoncuar më 20 tetor 2026. I mituri ka deklaruar se ishte sulmuar nga një person i panjohur në rrugën “Hoxha Tasim”.
Pas veprimeve hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë identifikuar dhe ndaluar mbrëmjen e 22 tetorit shtetasin F. M., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në vijim të procedurave, policia ka ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit. Gjatë ndërhyrjes, babai dhe motra e 25-vjeçarit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, me qëllim pengimin e kontrollit.
Për këtë arsye, shtetasit F. M. dhe M. M. janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia ka bërë me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sqarimi i uniformave blu vjen pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku pretendohet se efektivët kanë ndërhyrë gjatë natës në banesën e një familjeje.
/vizionplus.tv




