Tirana shndërrohet në “Kryeqytetin e Luftës”, kaos në çdo rrugë

Bomba molotov, tym, gaz, gurë, dhunë dhe kaos. Tirana prej disa ditësh është shndërruar në “Kryeqytetin e Luftës”, për shkak të përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Aktualisht, vijojnë përplasjet e dhunshme në çdo rrugicë, pasi protestuesit janë ndarë në disa grupe.
Ditën e sotme, protestuesit nuk kanë kursyer as komisariatet, duke i sulmuar me bomba molotov, ku të plagosur kanë mbetur disa efektivë.
Ndërkohë, policia, nga ana tjetër, ka vijuar me hedhjen e gazit lotsjellës dhe përdorimin e ujit ndaj protestuesve, në përpjekje për t’i shpërndarë.
Nga lindja në jug të kryeqytetit, nga veriu në perëndim, pothuajse në çdo rrugë ka përplasje mes palëve.
Edhe pse është bërë vazhdimisht apel për shmangien e dhunës, duket se gjithçka është jashtë kontrollit.


