Tillerson në Katar për krizën

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ndodhet në Katar me qëllim uljen e tensioneve mes këtij shteti dhe vendeve të tjera arabe.
Në Doha Tillerson zhvilloi bisedime me emirin Tamim Bin Hamad Al-Thani dhe ministrin e Jashtëm, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani.
Diplomati i larte amerikan theksoi se shpreson se mund të arrijë një progres për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Katari, sipas tij, ka qenë mjaft i qartë ne qëndrimet e tij dhe ato kanë qenë të arsyeshme.
Tillerson ishte dje edhe në Kuvajt ku zhvilloi një takim me sheikun Sabah Al Ahmad Al Sabah dhe ministrin e Jashtëm, Sabah Khalid Al-Hamad Al-Sabah.
Kuvajti ka ndërmjetësuar i pari krizën midis 6 vendeve arabe dhe Katarit.
Ndërkohë, në vizitën e tij 2 ditore, Tillerson ka planifikuar të takohet edhe me zyrtarë të lartë të Arabisë Saudite, me qëllim për të ndërmjetësuar mospajtimin që ka shpërthyer muajin e kaluar, kur Arabia Saudite dhe disa vende të tjera arabe, vendosën sanksione kundër Katarit për lidhjet e dyshuara me grupet ekstremiste islamike, përfshirë edhe Iranin.
Më 5 qershor, vendet e gjirit tw udhwhequra nga Riadi, shkëputën lidhjet diplomatike me Katarin dhe pezulluan shkëmbimet tregtare.
Këto shtete paraqitën një listë prej 13 kërkesash, përfshirë edhe mbylljen e rrjetit televiziv Al-Jazeera. Por Doha zyrtare i refuzoi kushtet e vena, ndërsa mohoi të gjitha akuzat për mbështetje të grupeve terroriste.
Arabia Saudite dhe Katari janë aleatë kryesorë të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Ndërsa në Katar gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon, në të cilën janë të vendosur afro 11 mijë ushtarë.




