Për herë të parë, publiku ka mundësi të shohë ikonën e Shën Marisë, në Korçë, një nga veprat më të rralla të artit ikonografik shqiptar, që i përket kishës së Mborjes, një kishë që nuk ekziston më, por që ruan pasuri të jashtëzakonshme.
Restauratori i njohur Genti Proko thotë se kjo ikonë është realizuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV dhe ka një veçanti të rrallë: është e pikturuar nga të dy anët. Në njërën anë paraqitet Shën Maria ndërsa në anën tjetër, skena e Kryqëzimit.
“Kjo ikonë përfaqëson një punim të rrallë për nga teknika, koha dhe përmbajtja. Dyfaqësia e saj tregon për përdorim liturgjik të veçantë dhe na lidh me një etapë të hershme të ikonografisë sonë”, tha restautori Genti Proko.
Ndërkohë, një tjetër ikonë e rëndësishme, ajo e “Joanit Pagëzorit”, ka përfunduar restaurimin pas disa muajsh pune intensive në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
“Ikona kishte pësuar dëmtime serioze në të gjitha komponentët e saj, por tashmë ajo është restauruar dhe e gatshme për t’u ekspozuar. Është një pasuri që meriton të shihet nga publiku”, tha Marjana Lara, drejtore e muzeut.
Muzeu i Artit Mesjetar, në një qasje të re ndaj publikut, shfaq herë pas here ikona të paekspozuara më parë, si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj./vizionplus.tv





