Parlamenti polak i ka dhënë dritën jeshile projektligjit që i ndalon gjyqtarët e pavarur të kandidojnë për postin e kreut të Gjykatës Supreme. Kreu i këtij institucioni do të zgjidhet nga një panel i emëruar nga partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi e cila argumenton se masat janë të nevojshme për të kontrolluar sistemin e drejtësisë. Vendimi është ndeshur me zemërimin e qytetarëve të cilët kanë pushtuar rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit duke protestuar kundër ligjit të kundërshtuar edhe nga BE.

 

Disa mijëra vetë u mblodhën përpara parlamentit në Varshavë me thirrjet “liri për gjyqësorin!” dhe “ne do të fitojmë!” Në fillim të këtij viti në Poloni u zhvilluan protesta edhe pas pezullimit të një gjyqtari i cili vuri në pikëpyetje reformën gjyqësore të propozuar nga partia në pushtet.

 

Ligji do të votohet edhe në senatin e Polonisë ku opozita nuk zotëron shumicën. Më pas do të duhet firma e presidentit, i cili e mbështet atë. Bashkimi Europian u bëri thirrje autoriteteve polake një ditë më parë që të pezullojnë legjislacionin, të cilin e konsiderojnë si kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit.

 

Ndërsa gjykata supreme ka paralajmëruar se ky ligj i cili ka shkaktuar edhe përplasje me Brukselin, rrezikon daljen e Polonisë nga BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *