Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë të martë ndodhet në në Bruksel, ku po merr pjesë në konferencën vjetore për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga organizata “Miqtë e Evropës”.

 

Presidenti Thaçi në fjalën e tij është shprehur se Kosova dhe rajoni gjenden në një udhëkryq politik dhe historik.

 

Sipas tij perspektiva e qartë evropiane është kyçe për të garantuar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

 

Ndër të tjera Thaçi nga Brukseli ka deklaruar se lidershipi i ri i Bashkimit Evropian duhet të dëshmojë vizion, guxim dhe lidership, duke mbajtur premtimet ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe duke dëshmuar se janë partner i qëndrueshëm i shteteve të rajonit.

 

Shtyrja dhe vonimi i zgjerimit të BE-së, sipas presidentit Thaçi, në realitet është ftesë për rrëmujë të re në Ballkan.

 

“Derisa Strategjia për Zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor krijoi bindjen se BE-ja po i jep shtytje vendimtare synimit të Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës për t’u integruar në BE, ngjarjet që pasuan na përgënjeshtruan të gjithëve”.

 

Ndërkohë në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës, Thaçi argumentoi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë, duke qenë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe qytetarët e Kosovës po qëndrojnë të izoluar padrejtësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *