Subscribe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian të vihet në tryezë të diskutimit mundësia e njohjes reciproke.

“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.

Këto komente presidenti Thaçi i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

“Dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet mund të jetë mundësi e mirë dhe e vetmja që garanton stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë mes dy vendeve tona dhe garanton të ardhmen evropiane edhe të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se për çështjen e dialogut ka diskutuar edhe ditë më parë gjatë një takimi me Lajçakun në Bruksel. Ndërsa lidhur me vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Francë ai tha se gjatë takimeve joformale me autoritetet më të larta të SHBA-së dhe gjatë diskutimeve në Paris, ka parë një koordinim më ta lartë për çështjen e dialogut, gjë që sipas Thaçit, duhet të reflektojë edhe brenda në Kosovës që të ketë një unitet përballë dialogut me Serbinë./R.E/L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *