Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale miratoi listën e ekspertëve, të cilët do të punojnë mbi ndryshimet që do të kryhen si dhe për problematikat e çdo bashkie përkatëse.
“Keni për detyrë të ndani çdo bashki në bazë të problematikave si dhe çfarë na duhet ne të ndryshojmë”, tha Luçiano Boçi, bashkëkryetar i PD në Reformën Territoriale.
“Puna do të nisë menjëhere nuk kemi kohë për të humbur, çdo e dhënë nga ekspertët do të shqyrtohet gjatë mbledhjeve”, u shpreh Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i PS në Reformën Territoriale.
Megjithatë, muajt në vijim do të sjellin një volum pune për anëtarët e komisionit, pasi do të nisin me dëgjesat dhe takimet në terren.
“Do ftojmë kryetarët e bashkisë, nuk përjashtojmë as mundësin e krerëve të njësive administrative. Mos të harrojmë se takimet në terren na duhen për të pasur një qasje të mirëfilltë të asaj ç’ka duhet të realizojmë”, shtoi Mazniku.
Anëtarët e Komisionit do të zhvillojnë dëgjesa në të gjitha qarqet nga 1 prilli deri në 19 maj, për të vijuar më pas me diskutimet për produktin e reformës deri në korrik të këtij viti./vizionplus.tv





