Durrësi ishte një nga qarqet që pësoi goditjen më të fortë nga tërmeti i 26 Nëntorit ku humbën jetën 51 persona dhe mijëra të tjerë mbetën të pastrehë. Sot dhjetë muaj pas lëkundjes sizmike, janë me qindra familjet që jetojnë ende në çadër.
Thumanë. Përtej këtij shesh ndërtimi, ku ende nuk janë hedhur themelet e para të shtëpive që do të strehojnë familjet që tërmeti ua rrafshoi apo ua shndërroi në të pabanueshme, takojmë Kadri Lamën. Ai është një prej të dëmtuarve të goditjes sizmike, që nga Nëntori i 2019-ës jeton në këtë çadër të ngritur në oborrin e shtëpisë së dëmtuar.
KADRI LAMA
BANOR I THUMANES
“Që kur ra tërmeti rijmë në çadër”
Arsyeja pse zgjodhi çadrën dhe jo një shtëpi me qira, janë të mbjellat dhe bagëtitë, burimi i vetëm i të ardhurave për familjen Lama. 5 milionë lekët e përfituara për rindërtimin, për kryefamiljarin janë të pamjaftueshme për të mbyllur dëmet.
KADRI LAMA
BANOR I THUMANES
“A bohet shpia me 5 milionë, ene punëtori do lek, ene ustai do lekë, çfarë fitova un, asigjo”
Në pamundësi për t’i dhënë familjes një shtëpi, e pakta për ta mbrojtur nga i ftohi i dimrit që po afron, ai po ndërton me 5 milionë lekët këtë dhomëz. Me ndihmën e miqve ustallarë dhe duke u dhënë edhe vetë një lopatë ndihmë, Kadriu, po përpiqet të shpenzojë sa më pak në ngritjen e saj, me shpresën se do t’i mbeten mjaftueshëm për të bërë edhe çatinë, se për derë, si zgjidhje ka plasmanin.
KADRI LAMA
BANOR I THUMANES
“Me bo me ra nji shi, na hy uji mrena, me i vu i plasma, me e mbulu, se s’kena ça me bo, me 5 milionë që murëm”
Gjasa është që edhe këtë dimër pesë anëtarët e familjes Lama ta kalojnë pjesërisht në çadër e pjesërisht në këtë barake siç e quan Kadriu, vendin që do t’i strehojë përkohësisht, veçanërisht gjatë ditëve me mot të keq.
Udhëtojmë drejt Manzës, në qytezën ku ende gjurmët e shkatërrimit që la pas tërmeti janë aty.
Deri në mbrëmjen e 26 Nëntorit, në vendin e këtyre rrënojave banonte familja Jonuzi.
Sot jeta e tyre zhvillohet brenda këtij kontenieri. Në një hapësirë më pak se 8 metra katrorë jetojnë Elidjona, bashkëshorti dhe tre fëmijët e saj.
“Më mirë se në çadër jemi, sepse në çadër nuk rrihet, këtu vend i vogël është, por pas të të keqes, jena mirë”
Përveç tualeteve dhe dusheve që i kanë të përbashkëta me banorët e tjerë të strehuar në këto kontenierë që furnizohen me energji e ajër të kondicionuar, situata bëhet më e vështirë me fillimin e vitit të ri shkollor. Përtej gjendjes së rëndë ekonomike, meraku i Elidjonës janë fëmijët.
ELIDJONA JONUZI
BANORE E MANZES
“Më mirë të shkojmë në një shtëpi, se këtu nuk rrihet. Djali është 13, tjetri 9 vjeç dhe e vogla 2, nuk i le as kjo rehat se ua merr librat dhe ua gris”
Nuk di të thotë se kur do t’i kthehet normaliteti, kur shtëpia e saj nuk do të jetë një kontenierë, por e di shumë mirë që edhe këtë dimër do ta mbylli në kaq hapësirë.
ELIDJONA JONUZI
BANORE E MANZES
“Siç e kaluam vjet, do e kalojmë edhe këtë vit”
Çdo ditë Elidjona e ngrys vetëm me një lutje, të ketë shtëpinë e saj.
ELIDJONA JONUZI
BANORE E MANZES
“Ah kur do të ishte ajo, sikur kam lind për së dyti”
Lutja e familjes Jonuzi, tanimë është formësuar në një tjetër, atë Norja në fshatin Kënetë në Shijak. Nga ajo që shohim në terren, në këtë zonë me ndërtimi i shtëpive individuale është nisur.
Shtëpia e Agim Norja u shemb e gjitha. Me gruan qëndroi në këtë çadër, ngjitur me vendin ku sot po i ndërtohet shtëpia e re. Fëmijët me nipër e mbesa i çoi me qiranë e përfituar nga shteti.
AGIM NORJA
BANOR I SHIJAKUT
“Janë stallat, lopët, të gjitha të ardhurat e mija këtu i kam”
Për Agimin e të ngjashmit në hallin që u ka rënë, pasi kaluan acarin e dimrit dhe të nxehtin e verës, çadra është bërë e papërballueshme.
AGIM NORJA
BANOR I SHIJAKUT
“Ka kushte që nuk jetohet në çadër. Pres mos ta hamë dimrin më në këtë çadër. Fatkeq, virusi mire na ik, tërmeti mirë na ik, u mblodhën të dyja, kena mbet kështu, nuk dimë çfarë të flasim, ishalla sa më shpejt shtëpia që të futemi sa më shpejt në shtëpinë tonë”
Të paktën për familjen Norja shpresa është që 2021 do t’i gjejë nën strehën e re, shumë të tjerë do të duhet të presin për t’u gjendur në shtëpinë e tyre, për të vazhduar rrjedhën e jetës aty ku iu ndërpre, në mëngjesin e 26 Nëntorit.