Tensionet në protestë, Koçiu: Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas tensioneve dhe akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë.
Koçiu bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë të ndërtojë dhe të përparojë, jo të shkatërrojë atë që ka arritur.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagim në Facebook:
Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.
Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.
Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.
Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur.




