Tensionet në protestë, Softa: Mungon organizimi i Policisë! Lala: Selia e PS-së, e vetmja godinë që s’u sulmua

Edhe protesta e ditës së sotme është shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve.
Eksperti Fatjon Softa ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe përgatitjen e Policisë së Shtetit.
Ai u shpreh se Parlamenti mbrohet nga Garda e Republikës, por asnjë ushtar nuk ishte i pranishëm gjatë përplasjeve.
Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala u shpreh se edhe pse shumë ministri dhe biznese u sulmuan, godina e selisë së PS nuk ka pësuar asnjë dëmtim.
Pjesë nga intervista:
Softa: Pakënaqësia nuk duhet të kriminalizohet. Nuk e di a duhet ta quaj krahun radikal të protestës apo përshkallëzim të protestës. Ministria ruhet nga një kompani private me kapital shtetëror. Të gjitha ministritë ruhen me një pagesë të majme. Kur ka situata jo normale, ka forca shtesë. Paralajmërimi për protestën duhet të kishte masa shtesë. Mungon organizimi. Brenda institucioneve duhet të kishte një kundërzjarr. Parlamenti mbrohet nga Garda e Republikës, por patë ndonjë ushtar? Asnjë.
Rakipi: Mos i lanë vetëm?
Lala: E vetmja godinë që s’u prek është selia e PS-së. Policët përdorën gjithçka për të mbajtur larg protestuesit. Policia ka qenë e papërgatitur. Këtë situatë duhet ta kishte në dijeni Shërbimi Informativ Shtetëror. Policia ditën e djeshme, në orën 10:00, nuk kishte arritur tek ministria e Arsimit, sepse forcat ishin lajmëruar për të shkuar në orën 14:00. Kur institucionet s’kanë informacione, lindin të gjitha dyshimet. E papranueshme që dhunohen të rinjtë që shkojnë aty për të protestuar.
Softa: Nuk ndodh që të zhvillohet protesta dhe të pastrohet mjedisi, siç ndodhte dikur me protestën e flamingove. U prekën institucionet. Pse u goditën bankat, kompanitë telefonike? Cili është roli i policisë dhe i sigurisë? Edhe bankat ruhen. Unë kalova nga Treni deri në qendër, nuk kishte asnjë njeri. Policia nuk e ka reagimin e shpejtë.




