Subscribe

Aparati celular i gjendur brenda furgonit me mbishkrimin hetimi tatimor që u përdor në grabitjen e miliona eurove në Rinas, do të dërgohet jashtë vendit për të çkoduar të gjitha bisedat dhe sms-të e kryera gjatë 6 muajve të fundit.

 

Burime zyrtare nga organi i akuzës konfirmojnë për Vizion Plus, se ai është një celular i thjeshte dhe i pakoduar, dhe nga kontrolli paraprak që i është bërë, ka rezultuar se nuk ka pasur të regjistruar asnjë thirrje zanore që do të ishte me vlerë për grupin hetimor.

 

Për këtë fakt, thanë burimet, aparati celular do të dërgohet në Izrael për të hedhur më shumë dritë mbi bashkëpunëtorët e Admir Muratajt.

 

Po ashtu, tre prokurorët Besnik Muçi, Arens Çela dhe Klodian Braho kanë sekuestruar të gjitha raportet e shërbimit në aeroport, për të parë nëse janë zbatuar procedurat nga koncesionari dhe komisariati i Rinasit si edhe patrulla e FNSH.

 

Brenda kësaj jave, prokuroria pritet të marrë në pyetje drejtuesit e kompanisë së sigurisë ICTS-së, si dhe familjarët e Admit Murataj. Nga përgjigjja paraprake e ekspertizës që i është bërë Muratajt, ka rezultuar se ai u qëllua me një plumb në kokë nga policia, gjatë shkëmbimit të zjarrit.

 

Ekspertiza verifikoi se edhe vetë Murataj ka qëlluar në drejtim të uniformave blu, për shkak se në duart e tij janë vërejtur mbejte baruti.

 

Në vendngjarje u fiksuan mbi 100 gëzhoja arme zjarri të kalibreve të ndryshme, ndërsa procedimi penal është regjistruar mbi 4 akuza: shpërdorim detyre, krijim i grupit të strukturuar kriminal, grabitje me armë dhe vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *