Tela: Rama duhet të mendojë për zgjidhjen politike! Dudushi: Partitë e vogla presin të ngrohen nga zjarri

Në edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus, analisti Andi Tela dhe gazetari Alban Dudushi kanë komentuar situatën politike dhe protestat e studentëve në Tiranë, duke u ndalur te mundësitë për zgjidhjen e krizës dhe rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm të protestës.
Tela theksoi se kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për një zgjidhje politike, përmes dialogut mes aktorëve, ndërsa paralajmëroi se protesta mund të marrë përmasa të tjera nëse nuk gjendet një rrugëdalje.
Nga ana tjetër, Dudushi u shpreh se në këtë fazë nuk ka një formulë të qartë për zgjidhjen e situatës, ndërsa palët po presin të shohin se si do të zhvillohet protesta dhe nëse ajo do të zgjerohet apo do të tkurret.
Andi Tela: Kryeministri duhet të mendojë për zgjidhjen politike. Të gjithë aktorët e tjerë duhet të ulen në një tryezë dhe të japin zgjidhje. Kërkesa e parë e studentëve është që të largohet kryeministri. Kjo dorëheqje nuk pritet të ofrohet në tavolinë. Pra “unë po jap dorëheqjen dhe gjejeni ju zgjidhjen”. Është ai që duhet të japë zgjidhjen. Kjo protestë mund të eskalojë më tej. Ose do ta shuash me dhunë, ose do ta shuash me zgjedhje.
Alban Dudushi: Në këtë moment nuk ka askush në dorë një formulë magjike. Palët në këtë moment lëvizin me kujdes duke pasur pritshmëri. Studentët shpresojnë që nëpërmjet forcës ndaj policisë, ndëpërmjet empatisë të motivojnë qytetarët që të dalin dhe ata në shesh dhe t’i mbështesin studentët. Njëra palë shpreson që protesat të tkurret, pala tjetër shpreson që protesta të bëhet aq e madhe sa të mos ketë mundësi menaxhimi. Kemi dhe një palë të tretë, partitë e vogla të cilat rrinë pas zjarrit dhe presin të ngrohen se gështenjat e pjekura do ti bien atyre në prehër tani.




