Pas më shumë se 4 dekadash artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mund të interpretojnë muzikën e tyre nën tingujt e pianos së re. Instrumenti vjen si nevojë për t’iu bashkuar pianove e vjetra të këtij institucioni, të cilat prej kohësh ishin të amortizuara. Këto të fundit i janë nënshtruar procesit të restaurimit dhe do të jenë gjithashtu funksionale.
ELVA MARGARITI
MINISTRE E KULTURES
“Ky model piano së bashku me gjithë elementet përbërës së saj kushton 184 mijë euro ashtu si dhe restaurimi i dy pianove të vjetra. Në grand total është një vlerë prej 245 mijë euro.”
Përveç pianos orkestrës së teatrit është menduar t’i shtohen edhe instrumente të tjera të cilat mungojnë. Por gjithashtu ajo që vlen të përmendet është investimi në Teatrin e operas të lëvizshëm që pritet të konkretizohet së shpejti.
Një piano e re ka qenë ëndërr edhe për brezat që kanë ngritur themele dhe kanë lënë gjurmë në muzikë. Një prej tyre është Margarita Kristidhi, e cila jetën ja ka dedikuar artit dhe sot ka një kërkesë.
MARGARITA KRISTIDHI
PIANISTE
“Kjo piano duhet të mendohet që duhet të ruhet. Ajo duhet të përdoret vetëm për koncerte dhe për orkestrën dhe jo në evente të çfarëdoshme të cilat mund ta çojnë në gjendjen e pianove të vjetra.”
Instrumenti do të inaugurohet nga artistët e rinj në një event të quajtur “Maratona e Pianos”, që pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.