Partia Demokratike ka kushtëzuar çdo ndryshim në kodin zgjedhor me garantimin e të drejtës së votës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit, pavarësisht nëse ka një dokument të skaduar identifikimi apo nuk ka dokument të shtetit shqiptar, por ka vetëm pasaportën e shtetit ku jeton.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, së bashku me sekretarin për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, sqaruan se një masë e madhe e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit nuk kanë një dokument të vlefshëm identifikimi, por kjo nuk duhet përdorur për t’i penguar ata të votojnë.
“Për të mbështetur kërkesën e saj që të lejohen të gjithë emigrantët, pavarësisht nëse kanë apo jo një dokument të vlefshëm, demokratët vunë në dukje se janë të paktën 1.8 milion zgjedhës, të cilët ndodhen në diasporë, pothuajse gjysma e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote”, shprehet Bylykbashi.
Ndaj, sipas PD, para se të diskutohet afrimi i afateve në kodin zgjedhor që ndihmojnë që emigrantëve t’u shkojë fleta e votimit në kohë, duhet garantuar e drejta e tyre për të votuar.
“PD ka shpjeguar se edhe teknikisht procesi i regjistrimit të emigrantëve që nuk kanë një dokument të vlefshëm është i mundur.”, tha Iva Kaso.
“Pothuaj tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, të dy partitë e mëdha bien dakord se duhet ndërhyrë në kodin zgjedhor për të lehtësuar votimin e diasporës. Për këtë qëllim, PS ka depozituar në parlament disa amendamente që afrojnë afatin e regjistrimit të kandidatëve për deputet në 13 mars, duke i dhënë më shumë kohë Postës që të dërgojë fletën e votimit. Nga ana tjetër, PD ka depozituar disa ndryshime që lidhen me të drejtën e emigrantëve për të votuar, pavarësisht nëse kanë apo jo një dokument identifikimi biometrik. Ndryshimet në kod duan 84 vota dhe të dy palët duhet të gjejnë gjuhën e kompromisit nëse duan që ato të miratohen.”, tha Bylykbashi.





