Dy të mitur, të moshës 16 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Pogradecit si autorë të dyshuar të një ngjarjeje të ndodhur më 11 maj 2025, ku u qëllua me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, në lagjen nr. 1 të qytetit.
Pas një pune hetimore të zgjeruar dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e M. K. dhe J. H., të dy banues në Pogradec.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të miturve, M. K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
një dorezë metalike, një sasi municioni luftarak si dhe një gëzhojë arme zjarri model 56.
Hetimet çuan edhe në gjetjen e armës së zjarrit tip kallashnikov, e cila ishte fshehur në një varr në varrezat e qytetit, duke shtuar edhe akuzën për dhunim varresh.
Sipas Policisë, njëri nga të miturit kishte qenë më parë i proceduar penalisht për plagosje me thikë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës, ndërsa të miturit po hetohen për veprat penale:
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Dhunimi i varreve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, të gjitha në bashkëpunim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes vijojnë.
/vizionplus.tv





