Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkoi qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të gjitha qarqet e vendit që prej ditës së djeshme po përballen me përmbytjet.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha vuri në dukje se mijëra familje dhe biznese në Durrës, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër e në disa zona të tjera të vendit u janë dëmtuar shtëpitë dhe bizneset si pasojë e përmbytjeve dhe shteti duhet të ndërhyjë për t’i ndihmuar.
“Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore”, tha Berisha.
Berisha iu kundërpërgjigj kryeministrit Edi Rama dhe qëndrimit të tij për përmbytjet, duke deklaruar se korrupsioni është arsyeja pse qytetarët po përballen sot me këtë situatë të vështirë.
“Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytjeje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim. Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra. E kuptoni se kur fillon të funksionojë ai? Mbi 70 centimetra. Pra le të përmbyten njëherë 70 centimetra, pastaj të fillojë të evakuojë ujërat. Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, në lidhje me protestat, Berisha preferoi të mos thotë asnjë datë kur nisin ato, duke deklaruar se do të jetë tryeza e forcave opozitare që do ta përcaktojë.
“Ne shkojmë në tryezë të hapur, për të dëgjuar, diskutuar me të pranishmit dhe vendosur së bashku mbi qëndrimet, protestat që do të ndërmarrim në vazhdim. Datën do të jetë ajo tryezë që do e përcaktojë se kur do të mblidhet protesta”, tha Berisha.
Edhe pse tryeza e aleatëve do të japë vendimin përfundimtar për nisjen e protestave, mësohet se data 24 janar është më e mundshmja për protestën e parë kombëtare të opozitës për këtë vit.
/vizionplus.tv





