Kryeministri Edi Rama është pritur në Bruksel nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një takim që shefi i ekzekutivit e quajti miqësor dhe të dobishëm. Në përfundim, Rama dhe Blinken nënshkruan marrëveshjen për koordinimin e teknologjisë 5G mes SHBA dhe Shqipërisë.

 

Partneriteti me Tiranën në çdo fushë mori vlerësimin më të lartë nga kreu i Departamentit Amerikan.

 

“Zoti kryeministër ju falenderoj së pari që jeni sot këtu, por çka është më e rëndësishme, shumë faleminderit për punën që kemi bërë së bashku. Mendoj që po vendosim një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi, të punojmë me shitës të besuar. Jemi mirënjohës për punën që SHBA dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në shumë fusha të ndryshme, përfshirë dhe stërvitjen “Defender 2021” që është përmbushur me kaq shumë sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në këshillin e sigurimit të OKB, kemi shumë punë të mira për të bërë edhe atje dhe në të gjitha aspektet, ky partneritet, po bëhet më i fortë dhe më i thellë, dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë.”

 

Ndërsa kryeminsitri Rama theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në rang rajonal, duke i bërë thirrje për bashkim, edhe shteteve të tjera.

 

 

“Për mua dhe për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm sepse sic edhe ju e dini kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, prej disa vitesh duke iu kërkuar edhe vendeve të tjera në rajon që të bëhen pjesë dhe që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi, e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike, në duart e qytetarëve, institucioneve dhe forcave të sigurise dhe të mos lejojmë që të kompromentohet nga aktorë të tretë që ndonjëherë janë dashakeqë. Është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush, prandaj ju falenderoj shumë dhe shpresoj që së bashku ne të mund t’i bindim edhe miqtë e tjerë në rajon për t’u bërë pjesë e kësaj.”

 

Takimi Rama Blinken në Bruksel vjen në një moment kyc për rrugën e integrimit, pasi më 22 qershor do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Europian, ku do të vendoset fati i negociatave për vendet aspirante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *