Tajfuni godet Kinën dhe Filipinet, dhjetëra të vdekur e të zhdukur

Hong Kongu dhe Kina Jugore janë nën alarmin e kuq, pasi stuhia më e fuqishme e vitit ka goditur këtë të diele brigjet lindore të Azisë.
Të paktën 36 persona kanë humbur jetën në Filipine të shtunën si pasojë e tajfunit Mangkhut. Dhjetëra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Rreth gjysmë milioni njerëz janë evakuuar nga shtatë qytete.
Observatori ne Hong Kong ngriti sinjalin e stuhisë në 10, – niveli më i lartë i mundshëm, ndërsa erërat e fuqishme i kalojnë 155 kilometrat në orë.
Qendra kombëtare meteorologjike tha se Kina jugore “do të përballet me një stuhi të rëndë të shkaktuar nga era dhe shiu”, duke u kërkuar zyrtarëve të përgatiten për fatkeqësitë e mundshme.
Më shumë se 550 fluturime janë anuluar në aeroportet në Hong Kong dhe qytete të tjera, dhe më shumë se 200 janë vonuar. Shumica e transportit publik në Hong Kong është pezulluar.
Të shtunën tajfuni Mangkhut shkaktoi dëme të mëdha në njerëz dhe materiale.
Të paktën 40 vetë, shumica minatorë, dyshohet se janë zënë në një rrëshqitje të tokës në veri të vendit. Ndër viktimat ishin edhe një çift bashkëshortesh dhe fëmija i tyre vetëm 2 vjeç, të cilët refuzuan të evakuoheshin.
Ndërkohe, Presidenti Filipineve Rodrigo Duterte ka aktivizuar të gjitha operacionet e kërkim shpëtimit.




