Subscribe

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi për herë të parë për vjedhjen e shumave të mëdha të parave në Rinas. Ai pranoi se ngjarja është e rëndë dhe se është cenuar siguria kombëtare.

“Unë besoj se hetimi do të zbardhë gjithçka. Është ngjarje shume e rëndë sepse cenon jo vetëm rendin publik, por edhe sigurinë kombëtare. Ju ftoj të jeni më të vëmendshëm lidhur institucionet që kanë përgjegjësi në aeroportin e Rinasit”.

Deklaratat e kompanisë që administron aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ministri Tahiri i konsideroi të çuditshme. Ndaj ai propozoi rishikimin e kontratës me kompaninë.

“Ka që në 2004 një kontratë koncesionare, e cila ndalon Policinë të kujdeset për sigurinë në aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Bëhet fjalë për masat në terminalin e udhëtarëve. Unë besoj se kontrata koncesionare duhet riparë, sepse nuk mund të ecet përpara me këtë lojë kukafshehthi se kush e ka fajin”.

Ndaj përgjegjësinë e gjithçka ndodhi mesditën e 30 qershorit, Saimir Tahiri e gjen tek koncensionari.

“Teste të njëpasnjëshme kanë treguar dobësi themelore të sigurisë për shkak të përgjegjësisë direkte të koncesionarit dhe asaj kompanisë që paguhet nga taksapaguesit për të ruajtur sigurinë. Ndërkohë ka dështuar ta bëjë këtë punë. Ose të kontraktohet policia dhe ta bëjë atë detyrë policia e shtetit ose të rishikohet në themel kontrata koncesionare. Unë besoj se ka shumë për të bërë, ashtu siç besoj qe edhe policia e shtetit ka shumë për të bërë qoftë edhe në këtë rast, për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve dhe kam shumë besim që nuk do jetë shumë e largët dita e arrestimit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi një më një përpara ligjit. Por deri në atë moment na duhet të shohim sistemin që duhet të garantojë paprekshmërinë”.

Deklaratat kreu i uniformave blu i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *