Përllogaritjet e Ministrisë së Financave, që gjatë 2020 shqiptarët do të kenë rreth 270 euro më pak në xhep prej pandemisë, për PD janë një tregues që kjo qeveri është e paaftë për të menaxhuar kriza.

Përfaqësuesi i PD për çështjet ekonomike, Dorian Teliti deklaroi se asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka qenë kaq e varfër dhe me një rënie të tillë ekonomike. Krahasimin ai e bëri edhe me vitin 2008.

“Vetë qeveria parashikon që të ardhurat mesatare për frymë në vitin 2020 priten të bien me 5.7%, ose me rreth 270 euro më pak për çdo shqiptar. COVID-19 nxori tërësisht zbuluar paaftësinë e qeverisë për të menaxhuar situatën ekonomike, braktisjen që i bëri qytetarëve dhe bizneseve, të gjithë e shohim qartësisht humnerën ku na ka zhytur. Sipas të dhënave zyrtare, humbja totale e të ardhurave vlerësohet të arrijë të paktën 770 milionë euro. Asnjëherë më parë, as në vitet e krizës botërore ekonomike 2008, Shqipëria nuk ka shënuar një rekord të tillë në rënie, e kjo lidhet kryesisht me mungesën e vizionit dhe menaxhimin e keq të taksave & parave të shqiptarëve nga qeveria.”

Duke e akuzuar qeverinë se ka vetëm premtime elektorale, Teliti paralajmëroi se shumë shpejt të gjithë do të japin llogari për çdo abuzim dhe kontratë abuzive.

Sipas Telitit, misioni i demokratëve kur të vijnë në pushtet është që t’i japin frymë ekonomisë.  

“Nxjerrja e vendit nga ky batak ekonomik që po u merr frymën shqiptarëve nuk është i lehtë, por nuk është as i pamundur. Partia Demokratike e ka këtë mision të qeverisjes së saj dhe në platformen tonë shqiptarët do të trajtohen si qytetarë të denjë të këtij vendi dhe me mundësi të barabarta. Qeveria e oborrtarëve do të japë llogari bashkë me miqtë oligarkë dhe paratë e shqiptarëve do t’u kthehen mbrapsht atyre. Çdo PPP korruptiv dhe çdo para e çuar padrejtësisht në xhepat e oligarkëve do të kthehet në investim për një jetë më të mirë për shqiptarët, që të rrinë në Shqipëri dhe jo me sytë nga bota. Kjo ndërhyrje në ekonominë e vendit është emergjencë e ne do ta kryejmë një orë e më parë, bashkë me shqiptarët që do të ndëshkojnë shumë shpejt me votë qeverinë e babëzitur që ka përvetësuar gjithçka, në tafmanë e saj për të marrë çdo gjë. Por siç populli thotë…tafmaja e madhe të lë pa gjë.”

Qeveria shqiptare parashikon që të ardhurat për frymë në vitin 2020 të zbresin në 553 mijë lekë (rreth 4,760 euro). Në krahasim me një vit më parë, këto të ardhura pritet të bien me 5.7%, ose me rreth 270 euro më pak për çdo shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *