Subscribe

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cilësoi antikushtetues ligjin për Kalimin e Pronësisë, si dhe shtoi që i jep fuqi kryeministrit Rama dhe vartësve të tij të kenë autoritetin e një Gjykate.

 

Në një postim në “Facebook”, Tabaku akuzoi kreun e qeverisë se ka prodhuar në 7 vjet një “korpus ligjor anti-pronë dhe pro oligarkë”. Sipas saj, synimi i këtij korpusi ligjor është zhdukja e të drejtës së qytetarit për të gëzuar pronën dhe vjedhjen e saj për interesa personale të Ramës.

 

“Në gjithë këtë grup ligjesh, qeveria dhe mazhoranca kanë shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e Shqipërisë, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ato të Strasburgut. Të uritur për të gllabëruar e marrë çdo pronë të mundshme, mazhoranca ka dhunuar plotësisht parimin e shenjtë të Kartës të të Drejtave të Njeriut. Në projekt-ligjin për Kalimin e Pronësisë, mazhoranca nuk ka respektuar asnjë nga këshillat parimore të Komisionit të Venecias. Jo vetëm kaq por ajo ka ideuar një ligj akoma dhe më  malinj se ai që kish propozuar më parë, duke e ndryshuar vetëm në fasadë dhe duke ruajtur brendinë e tij. Projektligji që sot po miratohet nga votat e noterit personal të Ramës, të parlamentit ilegjitim, i kalon kompetenca ekstra ligjore agjencive të qeverisë si e si që kjo e fundit të përdorë pushtetin e saj për të kryer ndere personale. Praktikisht do të kemi disa ligje në fuqi që janë në kundërshti të pastër me njëri tjetrin. Ligji për planifikimin e territorit dhe ligjin në fjalë që i jep të drejtën ASHK-së të vjedhë kompetencat e IKMT-së. Me qëllimin që procesi i legalizimeve jo vetëm të mos përfundojë kurrë, por të jetë një rrjetë me të cilën qeveria të marrë vota dhe të abuzojë me pushtetin.”

 

Ish-deputetja theksoi se me këtë ligj, qeveria ka vendosur që të mos mbrojë interesat ekonomik të pronarit të ligjshëm.

 

“Sakaq, pronarët që në të drejtë të tyre kanë gëzuar një pronë për vite edhe dekada me radhë në rast të mungesës së një tapie do të konsiderohen si ilegalë. Kjo çmenduri që votohet sot në kuvendin e Shqipërisë nga noterët e krye-oligarkut Rama i kërkojnë pronarit të tokës që të ri blejë truallin e tij dhe ndërtesën e tij edhe nëse kjo është ndërtuar përpara 1991.Të vetmit që mund të gëzojnë me këtë ligj janë padyshim oligarkët e shpurës së Ramës. Janë pikërisht ato që mbrohen specifikisht për gjoja investimin e tyre që njihet si qera 99 vjeçare.

 

Tabaku zotohet se PD do të rrëzojë këtë “korpus ligjor anti-pronë”, për të cilin tha se cenon dhe sulmon gëzimin e të drejtës së pronës.

 

“Gjithashtu zotohemi se do të trajtojmë pronën, pronarët dhe qytetarët që duan të gëzojnë pronën e tyre jo me parimin “prona e para”. Përkundrazi, ne do të vendosim pronën dhe gëzimin e saj primare duke vlerësuar dhe respektuar çdo zgjidhje që nuk e trajton këtë proces si formë kërcënimi, por si një mënyrë për të respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *