Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku komentoi një raport të S&P lidhur me rreziqet me të cilat përballet ekonomia shqiptare.
Në “Facebook”, Tabaku tha se rënia ekonomike pritet të jetë sa 9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas saj, në raport kritikohet qëndrimi që ka mbajtur qeveria karshi kontratave koncesionare.
“Raporti i fundit i S&P vazhdon të jetë kritik ndaj qeverisë dhe sjelljes së saj në raport me rreziqet me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Parashikimi për një kontraktim të ekonomisë me 6.5% të PBB-së, i afrohet përherë e më shumë parashikimit për një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së. Raporti kritikon sjelljen e qeverisë ndaj PPP-ve, duke qenë një tjetër zë me peshë që nënvizon rrezikun fiskal dhe buxhetor të PPP-ve. Situata është më e errët se sa përpjekjet e qeverisë për ta bojatisur atë në media. Raporti nënvizon dhe evidenton se do të ketë ulje të vlerësimit nëse ka përkeqësim të mëtejshëm, si pasojë e ekonomisë informale, rritjes së defiçitit, dhe gjithashtu problemeve me borxhet e fshehura.”
Tabaku theksoi se ka ardhur koha për një ndryshim. Ajo deklaroi se ky është plani i Partisë Demokratike, të sjellë një frymë të re në ekonominë shqiptare.
“Sot ekonomia ka nevojë për frymëmarrje. Për këtë arsye, plani i Partisë Demokratike është për një taksë të sheshtë që të ulë informalitetin, të reduktojë pabarazinë dhe të vlerësojë punën e ndershme!”