Shqipëria e nisi me humbje fushatën e ndeshjeve kualifikuese të Euro 2024.

 

Kuqezinjtë u mundën 1 me 0 në Poloni, në një duel të luajtur në përgjithësi mirë dhe në shumë fragmente të lojës si të barabartë ndaj të zotëve të shtëpisë.

 

Ndonëse me mungesa me peshë si Gjimshiti, Barë, Ismajli apo Broja, trajneri i ri Silvinjo në debutim, organizoi një skuadër që ishte kompakte, me mbajtje të mirë të topit dhe shpesh e rrezikshme përpara. Të parët që tentuan portën ishin polakët, në fakt me Zalevsakin, përpara se kuqezinjtë të shfaqeshin rrezikshëm, përmes një gjuatje nga distanca të Çikalleshit.

 

E megjithatë të zotët ë shtëpisë kaluan në avantazh në minutën e 40, kur pas një gjuajtje nga distanca që shkoi në shtyllë, me topin e kthyer në zonën e vogël ishte Svidierski që e çoi në rrjetë poshtë duarve të Strakoshës.

 

Në pjesën e dytë Shqipëria reagoi mirë, fituam metra dhe kërcënuam në disa raste portën vendase, por nuk ishim rezultativ. Dy raste të shkëlqyera ishin në minutën e 58 në këmbët e Uzunit dhe Asllanit, e në të dyja rastet Shcezni ndali goditjet.

 

Në minutën e 62 ishte sërish radha e mesfushorit të Interit, për të provuar nga distanca, por gjuajtja shkoi jashtë. Polonia ishte pak kërcënuese në pjesën e dytë, e jo vetëm kaq edhe me fat, pasi Uzuni në fund humbi një rast nga afër për të dalë me një pikë nga Varshava, pikë që do të kishte qenë e merituar ashtu si u luajt ndeshja.

 

Polakët tanimë janë të dytët në renditje me 3 pikë, 1 më pak sesa Çekia, që në duelin e dytë u ndal në barazim 0 me 0 në Moldavi. Sfidat e radhës eliminatore në grupin E do të jenë në muajin qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *