Gjykata e Lartë në Venezuelë u bë objektiv i një sulmi me granata, që u lëshuan nga një helikopter. Ai drejtohej nga një ish-polic në ministrinë e Brendshme e të Drejtësisë, që e kishte vjedhur nga forcat e rendit.

 

Përpara sulmit ai publikoi një deklaratë, ku denonconte qeverinë si kriminale. Gjithashtu raportohet se autori ka qëlluar me armë në drejtim të ndërtesës së ministrisë se Brendshme. Nuk raportohet për viktima apo të plagosur nga sulmi në Karakas, por presidenti Nicolas Maduro tha se ky ishte një sulm terrorist dhe tentativë për grusht shteti.

 

Agresori nuk është ndaluar ende nga policia. Ai është identifikuar si Oscar Perez dhe më herët kishte postuar në rrjetet sociale video ku u bënte thirrje qytetarëve të kundërshtonin tiraninë. Ai e konsideronte veten pjesë të nje grupi punonjësish të policisë, ushtrisë e civilësh, që kritikojnë qeverinë. Ngjarja ndodhi kur në ambientet e Gjykatës po zhvillohej një aktivitet dhe mund të kishte shkaktuar dhjetëra viktima sipas presidentit.

 

Maduro prej muajsh po përballet me protesta masive për shkak të krizës politike dhe ekonomike që ka përfshirë vendin. Gjykata e Lartë është institucion i kritikuar vazhdimisht nga opozita se me vendimet e saj po ndihmon kreun e shtetit të qëndrojë në pushtet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *