E shtunë, 17 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef 2 Eps) Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Lifestyle

Sulmet ruse vrasin civilë dhe godasin infrastrukturën energjetike të Ukrainës

Rusia e sulmoi Ukrainën gjatë natës me raketa balistike dhe raketa lundruese, si dhe me qindra dronë, duke vrarë civilë dhe duke dëmtuar ndërtesa banimi, thanë autoritetet ukrainase të shtunën.

Sulmet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone, thanë zyrtarët.

Reklamë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi këtë valë sulmesh si “një nga sulmet më të mëdha të Rusisë ndaj sektorit energjetik të Ukrainës”, duke shtuar se në mbarë vendin u vunë në shënjestër më shumë se 15 “objekte jetike për prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike”.

Në një postim në rrjetin social X të shtunën, ai tha se zonat më të goditura përfshinin Lutskun, Rivnen, Zhitomirin, Vinitsian, Shepetivkën, Slavutan dhe Netishinin. Ai shtoi se “u goditën edhe objektet energjetike në rajonet e Harkivit, Kievit, Dnipros dhe në rajone të tjera”.“Rusët e kanë intensifikuar operacionin e tyre kundër sektorit energjetik dhe po përpiqen t’i shterojnë sa më shumë rezervat tona dhe kapacitetet për riparime”, shkroi Zelensky.

Reklamë

“Vetëm nga ora 19:00 dje deri në orën 07:00 sot, kundër sektorit tonë energjetik, qyteteve dhe komuniteteve tona, u përdorën më shumë se 320 dronë ‘Shahed’, si dhe municione fluturuese që qëndrojnë në ajër para se të godasin objektivin, raketa lundruese dhe raketa balistike”, shtoi ai.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi katër raketa lundruese Kalibr dhe 332 dronë sulmues, përfshirë 31 dronë me motor reaktiv, si dhe raketa balistike Iskander-M/KN-23 dhe raketa lundruese Kh-22/32.

Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 293 mjete ajrore, përfshirë të katër raketat Kalibr dhe 289 dronë, njoftuan Forcat Ajrore. Sulme u regjistruan në 22 lokacione.

Në qytetin jugor të Hersonit, një sulm ajror rus në lagjen Korabelni vrau një shofer 64-vjeçar të shërbimit të urgjencës mjekësore, tha Yaroslav Shanko, kreu i administratës ushtarake rajonale.

Në Sloviansk, në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ruse goditën një lagje banimi me bomba ajrore FAB-250 në orët e para të mëngjesit, duke goditur dy ndërtesa banimi, sipas autoriteteve lokale.Një person u vra dhe 10 të tjerë u plagosën nga sulmi, katër prej të cilëve u shtruan në spital. Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, pasi besohet se banorë mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënojat e të dyja ndërtesave.

Tetë ndërtesa banimi u dëmtuan, dy prej të cilave u shkatërruan pjesërisht. Gjithsej, 16 persona u plagosën në Sloviansk gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë një vajzë 17-vjeçare. U dëmtuan gjithashtu automjete dhe pajisje të shërbimeve komunale.

Sulmet e kanë shtuar trysninë mbi sistemin energjetik të Ukrainës. Operatori kombëtar i rrjetit elektrik, Ukrenergo, njoftoi për ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në disa rajone, duke bërë të ditur se oraret e ndërprerjeve të publikuara më herët nuk do të zbatoheshin në zonat e prekura nga këto masa.

Punonjësit e sektorit energjetik po punojnë për ta rikthyer furnizimin, ndërsa autoritetet u kërkuan konsumatorëve që ende kishin energji elektrike ta kursenin atë.Në Vinitsia, kryeqytetin e rajonit me të njëjtin emër në Ukrainën qendrore, sulmet ruse e lanë qytetin pa energji elektrike, tha kryetari i bashkisë, Serhiy Morgunov. Zyrtarët po vlerësonin shkallën e dëmeve.

Kjo valë e fundit sulmesh ndodhi në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se kishte pezulluar zbatimin e pothuajse të gjitha sanksioneve, tarifave dhe kufizimeve thelbësore të përfshira në një ligj dypartiak, i cili synonte t’i bënte presion Rusisë që t’i jepte fund luftës kundër Ukrainës.

Ky vendim nxiti kritika të ashpra nga mbështetësit e Ukrainës dhe ligjvënësit e të dyja partive në SHBA, të cilët thonë se kjo masë i minon përpjekjet për ta detyruar Moskën të ulet në tryezën e negociatave.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.