Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, shprehu sot “shqetësimin” e tij për situtatën në Gaza, pas operacioneve ushtarake të Izraelit, dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës.
“Lajm i neveritshëm në Gaza: civilë që vdesin urie, spitalet goditen përsëri nga sulmet ajrore. Dhuna duhet të ndalet!” shkroi Costa në rrjetin social në platformën X.
“Qeveria izraelite duhet t’i japë fund menjëherë bllokadës dhe të garantojë akses të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar në ndihmën humanitare.”
Izraeli njoftoi sot se po zgjeron operacionet e tij për të mposhtur Hamasin në Rripin e Gazës, pavarësisht thirrjeve në rritje për arëmpushim.
“Ajo që po ndodh në Gaza është një tragjedi humanitare. Një popull i tërë po i nënshtrohet një force ushtarake dërrmuese dhe joproporcionale”, tha Presidenti i Këshillit Evropian.
“Një armëpushim i qëndrueshëm dhe lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i të gjithë pengjeve janë më urgjente se kurrë”, theksoi ai.
Nga Bagdadi, ku po merr pjesë në një samit të Ligës Arabe, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për “planet e Izraelit për të zgjeruar operacionet e tij tokësore”, duke bërë thirrje përsëri për një “armëpushim të përhershëm” dhe për t’i dhënë fund bllokadës izraelite ndaj ndihmës humanitare në Gaza që nga 2 marsi.





