Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria vijon të përballet me sulme të ashpra kibernetike çdo ditë.
Kreu i qeverisë theksoi se janë marrë masat e nevojshme për të mos lejuar më cënimin e të dhënave të shqiptarëve, ndërsa i bëri apel edhe sektorit privat që të marrë masa.
“Na u desh një sulm i egër për të marrë masa dhe për të investuar në sigurinë kibernetike. Shqipëria është në sulm të përditshëm sepse të gjitha sulmet përplasen në murin tonë mbrojtës dhe nuk penetrojnë në të dhënat publike. Por kjo nuk do të thotë që ne jemi vunerabël në sektorin privat, por privati duhet të marrë masa më herët”, tha Rama.
Kryeministri theksoi më tej se prokurimet publike do të bëhen me AI, ndërsa shtoi se krijimi i platformës e-Albania 2.0 do të ketë një akses më të lehtë.
“Aktualisht jemi në një rritje të vazhdueshme të numerit në eAlbania. Jemi duke punuar për të ndërtuar sistemin e parë të prokurimeve publike me AI. Do krijojmë eAlbania 2.0 me akses më të lehtë”, tha Rama.
Kryeministri më tej shtoi: “Me Diellën jemi konsoliduar dhe me fëmijët e diellës do shtrihemi më tej”.
Rama në fjalën e tij foli edhe për start up-et.
“Në sektorin privat kemi 24% e bizneseve që tregtojnë online, shifër e ulët. Mbi 90% e qytetarëve që kanë akses online është shqetësuese.
Objektivi ynë të shkojmë 1 mld euro. Është e mundshme dhe do fuqizojmë mbështetjen për start up. Këtë vit kemi bërë një dyfishim të mbështetjeve. Më vjen keq për një llojpresioni gjobvënës që u ushtrua për start up nga portale në maskën e shtypit të lirë. Nuk mund tu qaj hallin sepse më duket pak ajo që hani ju me atë që ha vetë. Këshilla ime është mos u merrni me ta se kërkojnë gjoba kriminale. Nuk kanë asnjë efekt tjetër. Kemi në plan të bëjmë disa pilotime në turizëm, shëndetësi e financë mes shtetit dhe privatit që të nxisim inovacionin dhe teknologjinë”, tha Rama.
Kryeministri tha se synimi i qeverisë shqiptare është mbulimi i të gjitha shkollave në vend me laboratorë inteligjentë.
“Kemi 300 laboratorë inteligjent dhe synimi është që të mbulojmë të gjitha shkollat. Ndikon në numrin e fëmijëve që do merren me këtë sektor. Numri i vajzave që merren me teknologji është nga më të lartat në Europë. Programi do hapet për individët dhe do bëhet i detyruar për administratën publike. Do shtojmë grantet për financim për kërkim të aplikuar dhe partneritetet mes universitetit dhe industrisë”, tha Rama.





