Suela Koçibelli në “Diagnozë”: Gratë në nevojë kanë nevojë për më shumë mbështetje
Aktivistja dhe pedagogia Suela Koçibelli flet për 18 vite angazhim në terren, vështirësitë e familjeve në kushte të rënda ekonomike dhe rëndësinë e kujdesit shëndetësor për gratë dhe fëmijët.
Shëndeti, varfëria dhe mungesa e mundësive ekonomike ishin në fokus të rubrikës “Impakt Shëndet” në emisionin “Diagnozë” në Vizion Plus, ku e ftuar ishte pedagogia dhe aktivistja Suela Koçibelli.
Duke ndarë përvojën e saj 18-vjeçare në terren, Koçibelli theksoi se shumë gra shtyjnë kontrollet mjekësore për shkak të vështirësive financiare, mungesës së informacionit apo largësisë nga shërbimet shëndetësore.
“Shëndeti i tyre është i domosdoshëm të garantohet”, u shpreh ajo, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet dhe programe të dedikuara për gratë dhe familjet në situata vulnerabël.
Koçibelli rrëfeu edhe histori të grave që kanë përballuar kancerin me mbështetjen e marrë gjatë trajtimit, si dhe të vajzave që kanë vijuar shkollimin falë ndihmës së ofruar. Ajo theksoi se fëmijët që jetojnë në kushte ekstreme kanë nevojë për ndërhyrje konkrete dhe bashkëpunim mes institucioneve.
Në kuadër të Tetorit Rozë, aktivistja përcolli një mesazh për kujdesin parandalues dhe kontrollet e rregullta: “Kontrollin shikojeni si dashuri ndaj vetes”. Sipas saj, ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit duhet të vijojë gjatë gjithë vitit.
Në fund të bisedës, Koçibelli shprehu mirënjohjen për mjekët që kanë qenë pranë saj dhe familjes së saj, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënies së vazhdueshme me mjekun.
Emisioni “Diagnozë”, me autore dhe moderatore Freskida Miloti, transmetohet çdo të shtunë në orën 14:00 në Vizion Plus.




