E diel, 15 Nëntor 2026 Safir deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Diagnozë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Stuhitë e dëborës paralizojnë Japoninë, 30 të vdekur dhe dhjetëra zona të izoluara

Reshjet jashtëzakonisht të dendura të dëborës kanë shkaktuar vdekjen e 30 personave në Japoni gjatë dy javëve të fundit, njoftuan sot autoritetet japoneze. Mes viktimave është edhe një grua 91-vjeçare, e cila u gjet nën dëborë përpara banesës së saj.

Qeveria japoneze ka angazhuar forcat e armatosura për të ndihmuar banorët në prefekturën Aomori, zona më e prekur nga moti ekstrem, ku në disa rajone të izoluara janë grumbulluar deri në 4.5 metra dëborë.

Kryeministrja Sanae Takaichi ka thirrur një mbledhje emergjente të kabinetit dhe u ka kërkuar ministrave të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Sipas autoriteteve, masa ajrore shumë të ftohta kanë shkaktuar reshje të fuqishme përgjatë brigjeve të Detit të Japonisë, ndërsa në disa zona sasia e dëborës ka qenë më shumë se dyfish mbi mesataren sezonale.

Reklamë

Nga 20 janari e deri më sot, 30 persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, bëri të ditur Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive.

Sipas policisë, pesha e dëborës ka shkaktuar shembjen e çatisë së banesës, duke e zënë poshtë viktimën, e cila humbi jetën nga asfiksia. Pranë trupit u gjet edhe një lopatë, çka tregon se ajo po përpiqej të pastronte dëborën.

Guvernatori i Aomorit, Soichiro Miyashita, deklaroi se kishte kërkuar ndihmën e ushtrisë, e cila ka ndërhyrë për pastrimin e dëborës në banesat e të moshuarve. Në kryeqytetin e prefekturës, mure dëbore deri në 1.83 metra kanë mbuluar zonat urbane, ndërsa shërbimet e pastrimit nuk po arrijnë të përballojnë situatën.

“Rreziku i aksidenteve, potencialisht fatale, si pasojë e rënies së dëborës nga çatitë apo shembjes së ndërtesave, është i menjëhershëm”, paralajmëroi guvernatori gjatë një konference për shtyp.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë