Stuhia “Garret” ka goditur Britaninë e Madhe duke shkaktuar problem në transport për shkak të erës së fortë, reshjeve të dendura të dëborës dhe shiut.

Për shkak të stuhisë mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroporte për shkak të vonesave.

Problemet më të rënda, sipas mediave britanike i ka sistemi hekurudhor. Linja midis Londrës dhe Lutonit është mbyllur për shkak të një problemi teknik, ndërsa për ditën e sotme pritet të anulohen të gjitha shërbimet.

Përmbytjet ndërkohë kanë ndërprerë shërbimet midis aeroporteve të Edinburgut dhe Mançesterit, si dhe Glasgow e Birmingham, ndërsa të paktën 18 fluturime të “British Airways” për dhe nga Heathrow janë anuluar për shkak të kufizimeve të kontrollit të trafikut ajror.

Anulimet e fluturimeve kanë prekur edhe vendet e tjera pasi nuk kanë të bëjnë vetëm me linjat e brendshme për në Aberdeen, Edinburg, Mançester dhe Glasgow, por edhe ato ndërkombëtare, për në Barcelonë, Berlin, Madrid dhe Paris.

Ndërkohë në portin e Doverit radhët janë kilometrike dhe Autoriteti Portual ka paralajmëruar për vonesa që zgjasin të paktën dy orë.

Zyra e Meteorologjisë deri më tani ka lëshuar nëntë paralajmërime për motin, duke ngritur alarmin për erën që do të arrijë shpejtësinë 120 km/h.

Në shumë raste nga stuhia kanë mbetur pa energji familje dhe biznese, ndërsa për nesër janë dhënë edhe paralajmërime për mot më të rënduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *