Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e kanë cilësuar si historike për vendet e tyre marrëveshjen ekonomike të arritur në SHBA. Duke prezantuar elementët kryesorë të saj, shefi i qeverisë theksoi se dokumenti i hap rrugën marrëveshjes finale për njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Kjo është një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të finalizohet me njohjen reciproke mes dy vendeve. Nga Shtëpia e Bardhë kanë ardhur gjithmonë lajme të mira. Unë kam pritje të mëdha që këto projekte, ashtu siç kam thënë gjithmonë, do ta ndërrojnë peizazhin ekonomik në Kosovë dhe rajon. Unë jam i bindur se projekti i hekurudhës, i autostradës, hekurudha pastaj që nxjerr në portin e Adriatikut, gazit që vjen nga Maqedonia e Veriut, do ta bëjnë Kosovën brenda tri deri në pesë vjetësh qendër kryesore në nivel të rajonit”, tha Hoti.

Për çështjen e Liqenit të Ujmanit Hoti theksoi se palët ranë dakord të zhvillojnë një studim për mënyrën se si do të përdoret ky burim uji.

Nga ana tjetër, presidenti serb Vuçiç u ka thënë qytetarëve të tij të qëndrojnë të qetë, pasi në takimin e Uashingtonit nuk kishte njohje reciproke.

“Kjo nuk është një marrëveshje trepalëshe. Ndryshimi është i rëndësishëm. Pra, kjo është një marrëveshje që Serbia e bëri me Shtetet e Bashkuara mbi bashkëpunimin ekonomik me Prishtinën, dhe jo një marrëveshje trepalëshe. Nuk ka njohje të ndërsjellë, serbët mund të qëndrojnë të qetë”, tha Vuçiç.

3 ditë më pas Hoti e Vuçiç do të takohen në Bruksel, për të diskutuar mbi çështjen e të zhvendosurve dhe të pagjeturit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *