E premte, 18 Shtator 2026 Zilia deri në 01:45 Në vijim ora 01:45: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 orë më parë
Kosova

​Studentët marshojnë në Prishtinë kundër Speciales: Drejtësi për heronjtë tanë

Ilustrim · Vizion Plus

Një grup studentësh nga universitete publike dhe private në Kosovë marshuan sot në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një ditë më parë u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Marshimi nisi nga Biblioteka Kombëtare dhe vijoi drejt sheshit “Skënderbeu”, për të përfunduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Studentët e cilësuan vendimin e gjykatës si të rëndë dhe të padrejtë për Kosovën dhe shqiptarët.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit mbanin mesazhe si “Jo në emër të studentëve”, “Studentët kërkojnë drejtësi” dhe “Liri dhe drejtësi për heronjtë tanë”.

Gjatë marshimit, ata brohoritën në mbështetje të UÇK-së dhe përmendën emrat e katër ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në disa momente, protestuesit edhe kënduan, ndërsa gjatë rrugës marshimit iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë.

Përfaqësuesi i studentëve, Ilir Cani, e cilësoi vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe pretendoi se ai është ndikuar politikisht.

“Sot jemi mbledhur këtu për të protestuar ndaj këtij vendimi të padrejtë që iu bë çlirimtarëve tanë. Edhe ata ishin njëherë studentë që u çuan në protesta kundër padrejtësive. Sot ua ndjejmë borxh që të ngrihemi në protestë për ta”, tha Cani.

Ai deklaroi se studentët do të vijojnë protestat nëse, sipas tij, nuk ka ndryshim të vendimit.

“Liri çlirimtarëve! Rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar. Ne mendojmë se ai vendim është marrë me influencë politike, nuk ka të bëjë diçka me drejtësinë. Serbia ishte agresori dhe krimineli i vërtetë, jo UÇK-ja”, u shpreh ai.

Cani paralajmëroi protesta më të mëdha, duke e cilësuar marshimin e sotëm  vetëm fillimin e angazhimit studentor. Sipas tij, në protestë morën pjesë studentë nga universitetet publike dhe private.

Në mesin e qytetarëve që iu bashkuan marshimit ishte edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Binak Gashi. Ai vlerësoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe u bëri thirrje studentëve të vijojnë angazhimin e tyre.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë edhe e pastër. Ju falënderoj për vullnetin e madh që keni për lirinë e tyre. Së bashku nuk do të ndalemi deri në fund”, tha Gashi.

Ai kërkoi gjithashtu ngritjen e komisioneve për shqyrtimin e vendimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se dëshmitë kundër ish-krerëve të UÇK-së janë dhënë nën ndikimin e Serbisë. Këto janë pretendime të tij.

Gashi theksoi edhe një herë rolin e studentëve në protestat ndër vite në Kosovë, ndërsa tha se veteranët e UÇK-së janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen për ta.

“Gjithmonë, edhe në kohën më të vështirë, studentët kanë luajtur rolin kyç!”, deklaroi ai.

Sipas Gashit, e ardhmja e Kosovës është në duart e të rinjve dhe studentëve.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.