Studentët në Vlorë futen me forcë në ambientet e shkollës, u kërkojnë nxënësve që tu bashkohen në protestë

Studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë janë ngritur në protestë këtë të enjte duke kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete dhe uljen e tarifave studentore.
Protesta nisi me një marshim nga Sheshi i Flamurit në drejtim të godinave universitare. Studentët hynë në auditorë, ku kërkuan mbështetjen e bashkëstudentëve të tjerë.. Ndalesa e parë ishte tek godina e Shkencave Humane.
Një prej studentëve pjesëmarrës në protestë shprehet se kërkesat e tyre lidhen me përmirësimin e kushteve në universitete dhe uljen e tarifave, në mënyrë që të lehtësohet barra financiare për studentët.
Pas kësaj, marshimi vijoi drejt Rektoratit, ku studentët hynë sërish në auditorë me thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe “Rama, jep dorëheqjen!”.
Ndërkohë, tensione janë shënuar edhe në zonën pranë shkollës “Ali Demi”. Studentët kanë hapur me forcë dyert e shkollës, duke kërkuar që nxënësit t’u bashkohen në protestë.
Më pas Protesta është zhvendosur para bashkisë së Vlorës .Në prani të forcave të shumta të policisë,protestuesit kanë hedhur vezë dhe bidona me ujë në drejtim të godinës së bashkisë
Protesta është pjesë e lëvizjes studentore për problematikat në arsim, me kërkesa për kushte më të mira dhe lehtësira financiare për studentët.




