Zakonet jo të shëndetshme të jetesës, ushqimi i pabalancuar dhe mungesa e e aktiviteti fizik po ndikojnë ndjeshëm në shtimin e çrregullimeve neurologjike. Këto probleme variojnë nga shqetësime të lehta si dhimbjet e shpeshta të kokës, deri te sëmundje serioze si demenca.
“Që nga problemet më të zakonshme sic janë dhimbjet e kokës, dhimbjet e shijatikut dhe deri tek problemet madhore që janë ato aksidentet vaskulare cerebrale apo sëmundjet kronike si epilepsia, parkinsoni, demenca. Si sëmundja më e shpeshtë do thoja dhimbjet e kokës sidomos ajo që quhet dhimbja e kokës intensive apo migrena”, tha Genci Çakçiri, mjek neurolog.
Një ndër rreziqet më të mëdha mbetet ishemia cerebrale, e cila në shumë raste ka pasoja fatale.
“Për sa i përket probleatikës për vetë atë rrezikun që kanë tek shëndeti i pacientëve më e shpeshtë janë aksidentet vaskulare ishemike dhe hemorragjike. Faktorët e riskut janë problemet kardiake kur kemi aritmitë kardiake, kur kemi ngushtim të eneve të gjakut që vjen si pasojë e hipertensionit, diabetit, yndyrnave, jetës sedentare pra faktorët e riskut janë të njëjta, obeziteti është shtuar, ushqimet e konservuara, stresit”, shtoi mjeku.
Mjekët neurologë theksojnë rëndësinë e parandalimit përmes një stili jetese më të shëndetshëm dhe kontrolleve të rregullta mjekësore.
“Shumë sëmundje neurologjike janë të lidhura me stilin e jetesës apo edhe me sëmundje të tjera, pra së pari duhen konsultuar probleme shëndetësore që mund të lindin me kalimin e kohës, pra një hipertension arterial, një diabet, një dislibidemi të gjitha këto duhen konsultuar trajtuar, sic duhet. Mënyra e të ushqyerit, aktiviteti fizik, të gjitha këto janë të këshilluar në shumicën dërrmuese të sëmundjeve neurologjike”, tha Çakçiri.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 3 persona në të gjithë botën preken nga probleme neurologjike, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të sëmundjes dhe paaftësisë./vizionplus.tv





