Tirana pritit për herë të parë Konferencën e Solidaritetit sportiv.Në fjalën e mirëseardhjes, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sportit.
“Në vitin 2023, Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, ishte një mundësi e jashtëzakonshme që qyteti i Tiranës, bashkë me Komitetin Olimpik, të inkurajonim masivizimin e sportit, sidomos në shkolla, mbas mësimit, për të mbajtur fëmijët larg veseve, larg rrugës, larg rreziqeve dhe gjithë ajo energji, prodhoi për herë të parë medaljet tona olimpike një vit më pas”, tha Veliaj.
Veliaj vuri theksin në rolin e sportit si një model për ndërtimin e shoqërive më të shëndetshme dhe solidare, sidomos në kohë krizash globale.
“Ne kaluam kriza të jashtëzakonshme me historinë e Covid-it, kemi pasur një tërmet të jashtëzakonshëm në vitin 2019. Por, në këtë vit kur një pjesë e madhe e botës ka qenë në konflikt, është dashur gjithashtu të mendojmë si në kohët e vjetra, si mundet çdo krizë të kthehet në mundësi dhe si mundet që sporti, gjuha diplomatike e sportit, gjuha solidare e sportit, të jetë një mundësi për t’i bashkuar njerëzit, aty ku shpeshherë politika i ndan”, tha kryebashkiaku.
Ky event, i cili zhvillohet nga data 16 deri më 18 dhjetor mbledh 57 Komitete Olimpike Kombëtare, me qëllimin kryesor të nxitjes së sportit si një mjet solidariteti, bashkëpunimi dhe paqeje.





