Subscribe

Zyrtarët më të lartë të shëndetësisë në Kosovë e konsiderojnë valën e katërt të pandemisë më të rëndën që po përjeton vendi deri më tani dhe bëjnë të ditur se të gjithë skenarët janë të hapur.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk e përjashtoi mundësinë e ngritjes së spitaleve të përkohëshme pasi kapacitetet edhe me shtesat, janë drejt ezaurimit.

 

ARBEN VITIA

MINISTER I SHENDETESISE, KOSOVE

 

“QKUK po punon për të shtuar më shumë kapacitetet spitalore por mund të organizojmë edhe spitale të karakterit fushor ku pacientët me simptoma të lehta të mund të marrin terapinë ditore.”

 

Duke iu referuar bilancit të rëndë të ditës së hënë, ku humbën jetën 26 pacientë, ministri i shëndetësië sqaroi se 6 prej tyre ishin të vaksinuar.

 

“Janë 6 pacientë të cilët kanë qënë të vaksinuar mirëpo nuk është e specifikuar me një apo dy doza, por të gjithë me sëmundje shoqëruese.”

 

Ministri Vitia përsëriti thirrjet për vaksinim dhe deklaroi se fushata do të përforcohet gjatë të gjithë muajit shtator.

 

“Me arritjen e dozave shtesë të Astrazenecas nga Gjermania dhe me arritjen e dozave nga covax por edhe me arritjen javore të sloteve nga kompania Pfizer, në muajin shtator do të shtohet kapaciteti i vaksinimit me ekipe dhe do të bëhet ditë e hapur vaksinimi edhe dita e dielë.”

 

Në javën e tretë të këtij muaji hyn në fuqi edhe pasaporta shëndetësore. Numri i përgjithshëm i të infektuarve aktivë në rang vendi është rreth 27mijë ndërsa vetëm në tre ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 82 viktima nga koronavirusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *