Spiropali: Vëllai im nuk ka marrë asnjë tender, Saliu po shpif

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra nga opozita për abuzime me fondet publike.
Në një postim në “Facebook”, Spiropali i ka cilësuar akuzat si të pavërteta ndërsa ka njoftuar se do të çojë PD-në në gjykatë.
Spiropali thekson se vëllai i saj nuk ka përfituar asnjëherë kontratë apo fond publik pavarësisht posteve që ajo ka pasur.
“E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me boje. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës.”




