E enjte, 8 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Spiropali i kundërpërgjigjet PPE-së: Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, Partia Popullore Europiane PPE shpreh keqardhjen lidhur me këtë vendim, me argumentin se mazhoranca dëmtoi marrëveshjen e arritur më 5 qershor.

Në një postim në “Facebook”, Michael Gahler e konsideroi një vendim të njëanshëm dhe arbitrar.

Reklamë

PPE paralajmëron qeverinë se nëse kërkon integrimin e Shqipërisë në BE, duhet të mos mohojë këshillat e ndërkombëtarëve për këtë çështje, duke shtuar se grupi i PPE do të vëzhgojë me vëmendje lëvizjet e radhës, për Kodin Zgjedhor.

Së fundmi deklaratave të Michael Gahler, i është përgjigjur deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Sipropali.

Reklamë

Spiropali, në një reagim të gjatë në Facebook, shkruan se “dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel”.

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit  

Dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Parlamenti ynë ka shumicë dhe opozitë, ndërsa opozita me gjuhën e së cilës flet zotëria i nderuar, ka “djegur mandatet” si asnjë parti tjetër në historinë e PPE! Ajo nuk ka as monopolin e opozitës shqiptare, as ndonjë të drejtë hyjnore mbi Parlamentin e mbi qeverinë e Shqipërisë.
Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos e fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij extra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar. I cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore për të shprehur me votë preferencën jo vetëm për partinë, po edhe për kandidatët për deputetë.
Jam e bindur që zëdhënësi i PPE nuk ka aspak qëllimin të jetë fyes, por fatkeqësisht gjuha e tij është fyese. Nga ana tjetër, jam gjithashtu e bindur se zoti Gahler nuk e di që me ndryshimet kushtetuese, ne e kemi futur Shqipërinë në kornizën e botës së OSBE/ODHIR, ku asnjë vend nuk e ka formulën “Frankestein” të koalicioneve parazgjedhore që kishte Shqipëria deri dje. Ashtu siç jam e bindur se nëse ai do të gjykojë procesin dhe produktin e këtyre ndryshimeve, nuk do të jetë dot kaq i përputhur me Lulzim Bashën dhe pretendimet absurde të Partisë Demokratike.
Së fundi, dëshiroj t’i them zëdhënësit të PPE, se Shqipëria është shumë e vogël për përçarjen e madhe politike, për të cilën sigurisht ai nuk ka asnjë faj, po të cilën ai s’ka pse e ushqen me deklarata si e sotmja. Me siguri nëse ai do të kishte pyetur edhe përfaqësuesit e vendeve mike të Shqipërisë këtu në vendin tonë, të cilët e kanë ndjekur nga afër procesin, nuk do të kishte folur si Lulzim Basha duke nxitur përçarje, po do të kishte folur si ata, duke nxitur dialog e bashkëpunim për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për dialog gjithëpërfshirës, kështu që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në vend se të kacavirren pas pasqyrave dhe shajnë e mallkojnë me një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me vlerat e me etikën e PPE, duke abuzuar me deklaratën e zotit Gahler, janë të mirëpritur të na bashkohen në çdo kohë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë