Subscribe

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar dosjen për grupin kriminal të Habilajve pas 3 vitesh hetime. SPAK ka kërkuar 63 vite burg në total për anëtarët e organizatës që akuzohet për kultivim dhe trafik ndërkombëtar të drogës.

Organi i akuzës pretendon 18 vite burg për Moisi Habilajn, ndërsa për Nezar Seitin, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj është kërkuar 15 vite burgim.

 

Gjykimi ndaj tyre ka nisur në tetor të vitit 2019. Moisi Habilaj u dënua në Itali me 15 vite e 5 muaj burg, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli në shtetin fqinj, por ky vendim nuk u ekzekutua pasi një javë më pas ai u arratis nga banesa ku qëndronte me masë sigurie. Autoritetet italiane dyshojnë se Habilaj është fshehur në Shqipëri. Aktualisht në Itali ndodhet Nezar Seitaj me masën e sigurisë arrest në shtëpi.

 

Në pretencë, SPAK thekson se katër të pandehur duhet ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Në dosjen e Habilajve  u përfshi edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.  Sipas opozitës, Tahiri kishte lidhje familjare me Habilajt dhe ishte garantori i tyre në trafikun e drogës. Për Tahirin, Gjykata rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura dhe e dënoi vetëm për shpërdorim detyre. Ai u dënua me 3 vite shërbim prove.

 

Më pas Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim, ndërkohë Tahiri bëri rekurs pranë Gjykatës së Lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *