Drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda është vënë nën lupën e SPAK. Prokuroria e Posaçme ka dyshime se ai së bashku me agjentë të policisë së Elbasanit, por edhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë dekonspiruar një operacion të 31 korrikut, që do të godiste një grup kriminal me aktivitet pikërisht në këtë qytet.
Të njëjtat burime për Vizion Plus konfirmojnë se bëhet fjalë për operacionin me 33 fletë-arreste, ku në pranga përfunduan vetëm 11 persona, ndërsa dy të tjerë ishim arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Lexo edhe :
Related Posts
Por, policia dështoi të arrestonte dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, që SPAK i dyshon si krerët e organizatës kriminale. Për këtë arsye në filtrat e Prokurorisë Antikorrupsion kanë përfunduar agjentët e policisë dhe byrosë së hetimit që po ekzekutonin urdhër-arrestet në terren.
Për llogari të këtij hetimi, sipas burimeve janë vënë nën sekuestro disa aparate telefonikë, mes të cilëve edhe të zyrtarit të lartë të policisë, Ilir Proda, i përfolur si një kandidaturë të mundshme për të drejtuar policinë e shtetit pas dorëheqjes së kryepolicit Muhamet Rrumbullaku.
Operacioni i 31 korrikut, njihet me emrin “Plumbi i Artë 2”, pasi fletëarrestet u prenë mbi bazën e deklarimeve të të penduarve të drejtësisë, ku bën pjesë edhe Nuredin Dumani.
Ky i fundit ka qenë dy herë shënjestër për tu ekzekutuar nga dy vëllezërit Çopja, së bashku me dëshmitarin tjetër, Erjon Alibej, edhe ky katër herë në rrezik për jetën nga të njëjtit persona.
Nga viti 2019 deri në qershor të këtij viti, SPAK ka vënë në ndjekje penale 78 ish zyrtarë policorë, ndërsa 59 prej tyre kanë përfunduar me statusin i pandehur. /vizionplus.tv











