Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka përsëritur thirrjen e tij për të kryer testime masive, pasi kështu ofrohet mundësia për të gjurmuar rastet e dyshuara, të izolohet virusin dhe të trajtohet në kohë.

 

Në një deklaratë për mediat, Spahia tha se qeveria po fsheh numrin në dispozicion të testeve dhe pajisjeve që bëjnë të mundur zbulimin e virusit. Sipas tij, ky informacion po trajtohet si sekret shtetëror.

 

“Cili është qëndrimi i qeverisë? Për fat të keq, qeveria bën sikur nuk dëgjon. Edi Rama dhe ministrja e tij e shëndetësisë nuk lënë rast pa dalë në televizor, por nuk kanë thënë asnjë fjalë sa teste kemi në dispozicion. Ne sot e dimë sa teste ka në dispozicion Kosova, sa ka Maqedonia e Veriut, sa kanë vendet e tjera të rajonit. Dimë me saktësi edhe të dhënat e vendeve të zhvilluara, por nuk dimë sa kapacitete testuese dhe sa teste ka Shqipëria. Në vend që ky informacion të jepej që në fillim dhe të përditësohet çdo ditë, ai po trajtohet si sekret shtetëror. Çfarë fsheh qeveria? Pse nuk tregohet numri në dispozicion i testeve dhe pajisjeve që bëjnë të mundur zbulimin e virusit? A ka një strategji qeveria që me numrin e ulët të testimeve të mbajë artificialisht të ulët edhe numrin e qytetarëve të prekur nga virusi?”

 

Spahia e cilësoi një akt “gjakftohtë kriminal”, nëse me numrin e ulët të testimeve po synohet fshehja e numrit real të personave të prekur me COVID-19.

 

“Nuk është koha që Edi Rama të përdorë jetët dhe shëndetin e shqiptarëve për politikë dhe as për eksperiment. Kemi humbur shumë kohë me numrin e ulët të testimeve dhe çdo ditë që kalon mund të humbim mundësinë për të mbajtur nën kontroll infektimin e popullatës. Çdo ditë që kalon, do ta bënte më pas jo efektive rritjen e numrit të testeve. Është emergjencë ndërprerja e zinxhirit të infektimit dhe se vetëm diagnostikimi i hershëm i qytetarëve të prekur është çelësi i suksesit për t’iu kthyer sa më parë jetës normale.Partia Demokratike ripërsërit apelin për të rritur menjëherë numrin e testimeve. Gjurmimi i të gjitha kontakteve të personave të konfirmuar me COVID-19 dhe testimi i tyre, testimi i stafeve shëndetësore dhe punonjësve të tjerë që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët, duhet të jetë prioritet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *