Spektakli “Albania’s Got Talent” vijon udhëtimin e tij drejt zbulimit të talenteve më të veçantë dhe më të spikatur të vendit. Pas tre netëve të mbushura me surpriza, performanca mahnitëse dhe emocione të forta, sonte në orën 21:00, në ekranin e Vizion Plus, vjen nata e katërt e audicioneve.
Konkurrentë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora do të ngjiten në skenë, të vendosur të tregojnë pasionin, mundin dhe talentin e tyre, në një garë ku çdo sekondë vlen dhe çdo detaj mund të ndryshojë fatin e tyre në këtë kompeticion.
Në vendet e jurisë do të jenë sërish emrat e njohur të artit shqiptar, Agron Llakaj, Adelina Ismajli, Elsa Lila dhe Kastro Zizo. Me përvojë, profesionalizëm ata do të duhet të përzgjedhin performancat më të spikatura që do të kalojnë në raundet e ardhshme. Por me rritjen e nivelit të konkurrencës, zgjedhjet bëhen gjithnjë e më të vështira.
Konkurrentët janë të vetëdijshëm se mundësitë nuk përsëriten dhe se duhen momente të jashtëzakonshme për të lënë gjurmë. Përveç votës pozitive të jurisë, të gjithë synojnë çmimin më të madh të kësaj nate, Golden Buzzer-in, butonin e artë që i çon direkt në finale dhe u garanton pjesëmarrjen mes më të mirëve të Shqipërisë.
Mbetet për t’u parë nëse sonte publiku do të jetë dëshmitar i një tjetër momenti që do të shkaktojë emocion dhe surprizë. A do të mundet ndonjë prej tyre të bëjë Agron Llakajn dhe Kastro Zizon të shtypin butonin e artë? A do të ketë një tjetër finalist që do t’i bashkohet Diego Zelkës dhe Nikolas Bushit?
Produksioni i “Albania’s Got Talent” premton një mbrëmje magjike, plot energji, histori frymëzuese, konkurentë të jashtëzakonshëm dhe emocione që vetëm skena e madhe e “Albania’s Got Talent”.
/vizionplus.tv





