Shqipëria do ta nisë rrugëtimin e saj drejt Euro 2024 nga Varshava kundër Polonisë vendase, një prej rivaleve më të fortë të Grupit E. Duel i vështirë për shkak të rivalit që kemi, por jo vetëm. Edhe ndryshimin në pankinë me rotacionin nga italiani Reja tek trajneri Silvinjo mbart disa pikëpyetje dhe rrisqe.

 

E para sesi do të komportohet skuadra me një trajner si Silvinjo, me filozofi loje krejtësisht të ndryshme nga Edi Reja. Fakti që ekipi ka vetëm pak ditë i grumbulluar e trajnerin e ri dhe me formacion të patestuar nga tekniku 48-vjeçar është një tjeter shqetësim. Sikurse është shqetësim i konsiderueshëm edhe lista e mungesave të rëndësishme që kemi, më së shumti Gjimshiti, Ardian Ismajli, Kejdi Bare apo Armando Broja që janë edhe shtylla e përfaqësueses sonë.

 

Përveç faktit që Polonia tregoi dobësi në duelin e parë të humbur ndaj Çekisë, i vetmi element inkurajues është fakti që lojtarët me një trajner të ri do të duan të tregojnë veten maksimalisht, çka mund të shërbejë për motivim ekstra kundër vendasve, sot në mbrëmje. Këtë element Silvinjo është përpjekur të transmetojë edhe përmes qëndrimeve të tij në konferencën e fundit për shtyp, mbajtur në Varshavë.

 

E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë. E kemi vendosur ekipin. Siç e thashë jemi gati të gjithë, jo vetëm 11, por jemi gati të 23 lojtarët që janë me ne. Ajo që duam është punë grupi, atmosferë dhe ambient i mirë dhe Cikalleshi është një prej tyre, i rëndësishëm, i fortë si të tjerët. E kemi formacionin titullar që do ta shikoni nesër. E rëndësishme për mua, pasi i njoha të gjithë, i stërvita, ishte të përçoja idenë e futbollit që kemi ne që mund të përforcojë të gjithë këta lojtarë.

 

Edhe Çikalleshi, i cili në duelin e fundit luajtur në Poloni, ku u mundëm 4 me 1, shënoi për kuqezinjtë, shprehu optimizëm për sfidën e parë të eliminatoreve. Silvinjo ka rikuperuar edhe lojtarë si Uzuni dhe Abrashi që kanë pasur probleme në grumbullim. Kundër Polonisë mund të luajmë me skemën 4-2-3-1, krejtësisht ndryshe në raport me Rejën.

 

Në portë Berisha, në mbrojtje janë të sigurt Hysaj dhe Balliu nga krahët Soi dhe Kumbulla në qendër. Për vendin e fundit janë në balotazh Veseli dhe Mihaj. Linja në mesfushë para mbrojtjes mbart edhe dilemat më të mëdha. Asllanim Abrashi, Qazim Laçi dhe Ramadani janë në garë për dy vende, ndërsa treshja ofensive Jasair Asani, Nedim Bajrami dhe Myrto Uzuni do të mbështesin sulmuesin kryesor Sokol Çikalleshi. Veç sfidës tonë, dueli tjetër i grupit është ai mes Moldavisë dhe Çekisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *