Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët bektashinj për Ditën e Nevruzit, ditë që sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka uruar që kjo ditë e shenjtë sjelltë begati e mirësi në çdo vatër të çdo shqiptari.
“Gëzuar Sulltan Novruzin, të dashur besimtarë bektashinj! Kjo ditë e shenjtë, që vjen së bashku me pranverën, sjelltë begati e mirësi në çdo vatër tuajën dhe të çdo shqiptari”, shkruan Presidenti.
Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët përmes një fotoje në facebook.
“Për të gjithë besimtarët bektashinj, Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit” shkruan ai.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka uruar nga qelia: Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë besimtarëve të Komunitetit Bektashian! Sjelltë kjo ditë e shenjtë më shumë dashuri, mirësi e harmoni në mendjet, zemrat dhe shtëpitë tuaja.
Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku uroi festën e Sulltan Novruzit.
“Sulltan Novruzi është një festë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Simbolizon ringjalljen e natyrës, sjell të mirën pranë nesh, më shumë dritë dhe i merr natës për t’i dhënë ditës. Ky komunitet ka luftuar për tolerancën mes feve të ndryshme. Është një komunitet aq tolerant, sa jo vetëm pranon këtu të gjitha besimet në këtë ditë të mirë, por edhe festa e tyre është një simbol për të gjithë pa dallim.
U uroj shqiptarëve mirësi dhe begati në familjet e tyre dhe ta përdorin këtë ditë të bukur dhe të gjitha ditët në vijim për të bërë mirë, për të qenë më pranë njerëzve në nevojë dhe për të treguar se nuk ka të keqe që nuk mposhtet dhe nuk ka errësirë që nuk ndriçohet”, tha Spiropali.
/vizionplus.tv





