Ambasadori i BE, Luigi Soreca zgjodhi qendrën e votimit në Liceun Artistik në Tiranë për të vëzhguar minutat e fundit të procesit zgjedhor.

 

Ai deklaroi për mediat se pjesëmarrja deri tani ka qenë e lartë dhe sipas tij, kjo është pozitive sepse qytetarët kanë kuptuar detyrën e rëndësishme që kanë në këtë moment kyç për Shqipërinë.

 

Kryediplomati evropian refuzoi të bëjë më shumë komente për procesin e votimit, duke nënvizuar se gjetjet do të paraqiten të hënën nga misioni i OSBE-ODIHR.

 

“Ekipet ose skuadrat tona të BE, që po vëzhgojnë zgjedhjet do të bëjnë atë që po bëj edhe unë këtu, do të v ëzhgojmë edhe procesin e mbylljes së votimit dhe procesin më pas. Do të mbledhim informacionet dhe do ta raportojmë më pas te OSBE-ODIHR, i cili nesër rreth drekës do të bëjë edhe vlerësimin paraprak të këtyre zgjedhjeve. Mbyllja e votimit dhe e qendrave të votimit është vetëm fillimi i fundit. Nuk do të jap asnjë vlerësim tani të gjërave që kemi parë sepse do të jetë misioni i OSBE-ODIHR ai që do të japë vlerësimin paraprak të gjërave nesër në drekë. Ne do të punojmë në bazë të këtyre gjetjeve më pas për Shqipërinë. Ishte një ditë e mirë për demokracinë, pash shumë shqiptarë që morën pjesë në këtë proces. Kisha përshtypjen që ata po ndjenin përgjegjësinë për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për vendin, në këtë moment të rëndësishëm.   Personalisht kisha shansin për të folur me votuesit e rinj e më të moshuar dhe kam kuptuar dhe më ka lënë shumë mbresa angazhimi i tyre për të marrë pjesë në këtë votim.”

 

Nga ana e tij u kërkua që të ruhet e njëjta qetësi edhe gjatë numërimit të votave, proces i cili po ashtu do të monitorohet nga ndërkombëtarët. Luigi Soreca bëri thirrje që rezultati që do të shpallet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të respektohet nga të gjitha palët.

 

“Do të vazhdojmë të monitorojmë procesin e numërimit nga sonte deri nesër, kur urojmë se do të përfundojë. Është shumë e rëndësishme të jemi të qetë dhe të respektohet rezultati që do të shpallë KQZ, të vazhdojmë me këtë pozitivitet që kemi parë deri tani.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *