“Solidarizohemi me studentët në Tiranë”, Shkodra në protestë, i riu: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës dhe kabinetit të tij

Studentët e Shkodrës i janë bashkuar protestave, duke shprehur solidaritet me protestuesit në Tiranë.
Ata thonë se kanë dalë në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre, por edhe për të ngritur shqetësimet për kushtet e jetesës, punësimin, pensionet dhe problematikat në arsim. Sipas tyre, kërkesat e studentëve janë parashtruar edhe më herët, por nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
“Ne të gjithë jemi dakord dhe jemi solidarizuar me protestat që po bëhen në Tiranë. Jemi shumë kundër dhunës që po u bëhet, sepse po luftojnë për të drejtat e tyre, për të drejtat tona, të prindërve dhe gjyshërve tanë, për punën, pensionet dhe kushtet e mjerueshme në të cilat ndodhemi. Ne si studentë kemi 1001 kërkesa, të cilat i kemi paraqitur shpeshherë, por nuk jemi dëgjuar”, u shpreh një studente.
Ndërsa një tjetër student deklaroi se protesta synon të përcjellë një mesazh të qartë ndaj qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.
“Sot kemi dalë për të drejtat e studentëve, për t’i kërkuar Ramës të japë dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij. Policia e Shtetit është për njerëzit, jo të vendosë dorë mbi ta. Sot kemi dalë në protestë paqësore për të dhënë mesazhin se kërkojmë të drejtat tona. Do të vijojmë protestat”, u shpreh ai.
Studentët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat, duke kërkuar që zëri dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen nga institucionet.




